Tuesday, December 11, 2012

Anjeza Shahini me një këngë dashurie në Festivalin e Këngës 51 (intervistë)


Anjeza Shahini rikthehet pas katër viteve si konkurente në Festivalin e Këngës në RTSH. Ajo është një krijesë e artë e edicionit të parë spektaklit muzikor 'Ethet' dhe pastaj një kampione në Festivalin e Këngës. Një këngëtare me një zë karakteristik dhe të fuqishëm, bëri që Shqipëria të njihet në Evropë për muzikën e saj të bukur.
Në këtë intervistë me 'Eurosong Shqipëria', Anjeza Shahini shpalos kujtimet e eksperiencës së saj në Eurosong të vitit 2004 dhe rrëfen detajet e pjesëmarrjes së saj në Festivalin e këtij viti. Ajo do të konkuron në Festivalin 51 të Këngës në RTSH me një këngë të titulluar 'Love' të kompozuar nga kompozitori Edmond Zhulali me vargje të autorit Skender Sherifi.


Anjeza, jeni pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës 51 në RTSH, në një festival ku 10 vite më parë keni debutuar në një moshë shumë të re.

Po është e vërtete, kanë kaluar gati 10 vjet, dhe pse me duken sikur nuk kanë kaluar fare. Është një festival me një histori të madhe ku unë në vitin 2003 pata fatin të bëhesha pjesë e kësaj tradite. Rimarrë pjesë këtë vit me po të njejtën kënaqësi dhe emocion që ky eveniment me sjell.

Debutimi i juaj ishte i suksesshëm në këtë festival, të sjelli çmimin e madh të këtij festivali dhe të hapi shumë dyer tjera në karierën e juaj muzikore. Si e kujtoni momentin kur ju jeni shpallur fituese e këtij festivali?

E kujtoj shpesh veten kur në momentin e shpalljes së çmimit, nisa te qaja nga gëzimi. Ka qenë një emocion i madh dhe një përgjegjësi edhe më e madhe se vet mosha apo eksperienca ime.

Nuk i ke munguar festivalit edhe në vitin 2005 dhe 2009, në këtë të fundit jeni shpërblyer me çmimin e dytë. Këtë vit, pas 10 viteve vini në garë me të njëjtin kompozitorë, pikërisht me kompozitorin e mirënjohur Edmond Zhulali që është kompozitori i këngës 'Imazhi yt'.

Po, duke qenë se siç thash me sipër, në këtë festival emocionet janë të veçanta, dëshiroj që ti përjetoj ato herë pas here. Bashkëpunimi me autorë të ndryshëm ka ndihmuar në eksperiencën time muzikore. Këto vite kam patur fatin te punoj me emrat më të mirë të muzikës shqiptare, por gjithmonë kam patur mbështetjen e profesor Zhulalit, dhe pse jo gjithmonë ne gara festivalesh. Këtë vit bashkëpunojmë sërish së bashku dhe dua të them se ndihem shumë e privilegjuar.

Është suksesi vitit 2003 që shtyri të marrësh pjesë sërish me Edmond Zhulalin?
Përveçse në studion e prof. Zhulalit unë ndihem gjithmonë si në shtëpinë time, bashkëpunimin me të e vlerësoj shumë duke njohur profesionalitetin, por edhe përkushtimin apo komunikimin e tij.

Me çfarë kënge do të konkuroni këtë vit në Festivalin e Këngës?

Mund të them që aty do ketë shumë 'Anjezë', pasi çdo detaj është kuruar duke menduar stilin, vokalin dhe ndjeshmërinë time, sigurisht i gërshetuar me ato të autorëve ku nuk dua të le pa përmendur edhe poetin me emër ndërkombëtarë Skender Sherifi. Është nder i veçantë të këndoj vargjet e një shkrimtari i cili bënë pjesë në krenarinë e shqiptarëve nëpër botë.

Festivali është afruar dhe ndërkohë kanë filluar përgatitjet me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Si kaluan provat e para?

Jam tepër e kënaqur nga provat në RTSH, të cilat po funksionojnë mrekullisht mirë edhe pse një impenjim i vështirë për një orkestër të madhe që luan si askund tjetër 'live'. Më mjaftoi kjo nga viti i kaluar ku unë isha si e ftuar, që mezi të prisja dhjetorin e këtij viti për te provuar si emocion pjesëmarrjen ne festival.

Si do të paraqiteni në skenë gjatë festivalit. Keni ndonjë performancë të veçantë?

Nuk mendoj se ka performancë më të veçante se vet orkestra dhe mikrofoni në këtë rast.

E ndjeni konkurencën këtë vit?

Konkurenca ndihet gjithmonë në një garë, dhe vet emrat të zgjojnë këtë ndjesi. Të them të drejtën gjithmonë nëpër festivale mundohem të rri pak larg nga këngët tjera, në mënyrë që të
fokusohem vetëm në këngën time. Kështu nuk kam pse të mendoj për 25 këngë të tjera njëkohësisht. Pas konkurimit kur gjithçka është pak më e ftohtë, i dëgjoj të gjitha duke u munduar të jem objektive dhe të bëj shënime.

Kthehemi prapë tek viti 2003. Çmimi i parë i Festivalit të Këngës të atij viti të sjelli edhe biletën për në Eurosong të vitit 2004 që u mbajt në Turqi. Keni patur nderin të jeni përfaqësuesja e parë shqiptare në Eurosong. Si jeni ndjerë për këtë?

Pjesëmarrja ime e parë në Festival u bë edhe e para pjesëmarrje në Eurosong. Dhe pse e vogël, i ndjeva dy kurorat që mu vunë në një natë. Për një moment ndihesha princeshë e për një tjetër si kalorëse që do të përcillja një copëz nga kultura shqiptare ne skenën Evropiane. E gjitha një emocion dhe përgjegjësi e madhe.

Cilat janë kujtimet me të bukura nga pjesëmarrja e juaj në Eurosong?

Çdo prapaskenë me miqtë e mi të etheve, që u bënë edhe backvokalistat për këngën tonë, çdo shqiptar që kishte ardhur enkas në Stamboll dhe flamujt që valeviteshin kur unë këndoja, do i quaja momentet më të bukura dhe mbresëlënëse që më dhanë shumë guxim për ta përballuar deri në fund konkurimin.

A ka ndryshuar diçka në jetën e juaj pjesëmarrja në Eurosong ?

Besoj që po. Nuk e di si do ishte përndryshe jeta ime nëse nuk do kisha qenë në Eurosong, apo nëse nuk do merresha me këngën, por di që gjithçka ka ndikuar në vet mua,e besoj edhe tek ata qe më njohin.

Keni korrur një sukses të madh në Eurosong, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 7-të. Një sukses që brenda 7 viteve tjera asnjë këngëtarë shqiptarë nuk ka arritur ta tejkalojë. Deshironi të përmirësoni këtë rezultat?

Tashmë kanë kaluar disa vite dhe disa pjesëmarrje. Kështu që mendoj se çka ishte më e rëndësishme në lidhje me prezantimin e muzikës apo kulturës tonë në Eurosong, pjesërisht ka kaluar si fazë. Ne bëjmë pjesë në traditën e atij festivali tashmë, gjë që e bënë më të lehtë përgjegjësinë tonë për tu përfaqësuar. Ende mbetet skena e vetme aq gjigante me një shikueshmëri aq të madhe në të cilën artistët shqiptarë mund të kenë mundësinë të shpalosin artin e tyre, dhe për sa kohë është ky fakt secili prej nesh do të dëshironte të bëhej pjesë, por asnjëherë nuk e kam parë si një gare rekordesh mes nesh.Të gjithë ne marrim emrin 'Albania' aty dhe jemi në garë me kultura të tjera e jo me njeri tjetrin. Eurosongu është mbi të gjitha një festë që thjesht duhet festuar.

Cilat janë planet e juaja në të ardhmen, pas festivalit?
Se pari uroj te marrë kënaqësi nga gjithë puna e bërë me këngën time pjesëmarrëse në festival dhe me pas koncertet e vitit te ri më presin ne Shqipëri dhe Kosovë. Ndërkohë që në janar do të bëj disa pushime në Londer. Pastaj do të rikthehem me një kënge tjetër dashurie ne shkurt.

Eurosong Shqipëria falenderon Anjezë për intervistën dhe i uron suksese në Festivalin e Këngës 51!

Intervistoi: Florim A. Gashi, E.Sh

No comments:

Post a Comment