Monday, December 10, 2012

Marsela Çibukaj me një këngë të veçantë në Festivalin e Këngës 51




Marsela Çibukaj, vajza me një zë shumë të veçantë e cila u rendit e dyta në spektaklin madhor  “The Voice of Albania” do të paraqitet për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH. 'Mijëra netë' një kompozim nga kompozitori i njohur Alban Male, është kënga me të cilën Marsela, një këngëtare e talentuar, do të konkurron në festivalin e fundvitit.


Për 'Eurosong Shqipëria' ajo ka shpalosur detajet rreth paraqitjes së saj në Festivalin e Kënges, rreth bashkëpunimeve me kompozitorët, rreth planeve të saj në ardhmen e shumë të tjera

Marsela, të njohim nga spektakli muzikor 'The Voice of Albania' në Top Channel, por mund të na tregosh pak më shumë se kush është Marsela?
Nuk është e thjesht të flasësh për veten,  por do mundohem ;).  Marsela është një vajzë për të cilën thjeshtësia dhe transparenca janë themelet e karakterit të saj, një vajzë që në gjithçka që bën në jetë venë emocion dhe pasion. Një vajzë që ndien dashuri  për gjithçka që e rrethon, dhe e shpreh atë. Një vajzë për të cilën familja dhe miqësia kanë një rendësi kryesore në çdo hap qe ajo hedh. Marsela është një vajzë që fal artit dhe muzikës ka një ndjeshmëri të theksuar, një ndjeshmëri që e bën gjithmonë e më shumë ëndërrimtare për një botë ku vlerat humane mbizotërojnë mbi materializimin dhe konsumimin. Me siguri Marsela është një vajzë që kërkon vazhdimisht maksimumin nga vetja duke venë në diskutim defektet ose pasiguritë e saj. Mundohet nga çdo eksperiencë të marrë pjesën pozitive dhe konstruktive, pjesën që e ndihmon për tu kompletuar dhe përmirësuar.


Keni qenë shumë afër çmimit të madh në programin muzikor garues 'The Voice of Albania'. Cilat kanë qenë momentet e juaja më të bukura në këtë garë të fortë dhe ç'farë provoje keni marrë nga ky spektakël?
Momentet më të bukura kanë qenë emocionet jave pas jave më të forta ne çdo performancë, kanë qenë duartrokitjet e publikut, ka qenë përkrahja e familjes  dhe e miqve te mi edhe nga larg. Një eksperience e fortë , e vështirë me siguri, por edhe një rritje profesionale jo indiferente. 

Këtë vit jeni paraqitur në festivalin muzikor Top Fest dhe tani disa muaj më vonë do të merrni pjesë edhe në Festivalin e Këngës në RTSH. C'farë të shtyri të jeni pjesë e Festivalit të Këngës?
Festivali i Këngës është një event i rëndësishëm, një përballje artistike e bukur, një mundësi bashkëpunimi me mjeshtrat e muzikës shqiptare. Një skenë ku shumë këngëtar shqiptarë qe sot janë mitet e mi,  kanë hedhur hapat e tyre, një skenë qe i dhuron pjekuri dhe vlerë profesionale çdo artisti. 

Në Festivalin e Këngës vini me një këngë të kompozuar nga Alban Male. Si lindi ky bashkëpunim?
Alban Male, menjëherë pas “The Voice of Albania” , me propozoi të bashkëpunonim për një pjesëmarrje në Festival , ide që mua me pëlqeu dhe që u realizua në shtator pas kthimit tim nga Italia. Albani është një kompozitor punën e tij e bënë shumë me pasion,  venë në pentagram atë ndjenjën qe krijon me këngëtarin qe ka përballë duke e studiuar atë si nga aspekti vokal ashtu edhe nga shija e tij. E falënderoj shumë për këtë bashkëpunim.

'Mijëra netë' quhet kënga juaj e shkruar nga Eneda Mjeshtri dhe nga ju .  Për ç'farë flet kjo këngë?
Kënga e kompozuar nga Alban Male është  një baladë me një groove të veçantë. Teksti i këngës është punuar nga Eneda Mjeshtri (që përfitoj nga rasti ta falënderoj ) dhe nga unë. Kënga flet për një dashuri ku fjalët nuk kanë vlerë, për një kohë të kaluar dhe ndoshta të humbur. Një dialog i heshtur midis dy personave që nuk ndajnë me të njëjtën ndjenje.

Disa ditë më parë kanë filluar edhe provat e para me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Si u ndjeve gjatë provave?
Isha shume e emocionuar, sidomos kur hyra në mëngjes në sallë dhe pashë një orkestre të pasuruar nga  kaq shumë instrumentistë. Është hera e parë për mua qe këndoj e shoqëruar nga kaq shumë muzikant rreth meje  dhe me një drejtor orkestre përpara.  U ndjeva e privilegjuar, më të vërtetë. Sytë shkëlqenin nga emocioni. Janë pikërisht ato ndjenja që nuk harrohen dhe që kanë vlerë gjithmonë pavarësisht nga konkurimi dhe nga rezultati i tij.

Si do të jetë performanca e juaj në skenë, keni ndonjë shoqërues me vete?
Vështire të them se si do jetë performanca ime pasi unë jam e paparashikueshme në këtë aspekt. Do të thotë, asnjëherë nuk e studioj mënyrën se si të përcjellë një këngë. Është gjithmonë emocioni që ndjej në skenë, ai që ndikon dhe drejton perfomancën time. Për këtë e konsideroj vetën një këngëtare shumë instiktive . 

Fituesi i këtij festivali fiton edhe biletën për Malmëo për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong 2013? Jeni e gatshme për këtë detyrë? E keni ndjekur festivalin evropian të këngës, Eurosong? Të kanë pëlqyer këngët përfaqësuese shqiptare në këtë spektakël?
Është me siguri një përgjegjësi e madhe për një artist, sidomos pasi ne Eurosong Shqipëria ka arritur  rezultate shumë të mira, falë edhe artistëve që në këto vite e kanë përfaqësuar vendin tonë. Nuk e di, mendoj që është një ëndërr e bukur për secilin prej nesh .
E kam ndjekur disa herë, me shumë krenari për ata që na kanë përfaqësuar në këtë spektakël të madh. I kam admiruar dhe duartrokitur këngëtarët tanë.

Cilat janë planet e juaja në të ardhmen, përveç pjesëmarrjes në Festivalin e Këngës 51?

Planet e mia janë të shumta, mbetet me siguri ideja e realizimit të albumit tim, gjë për të cilën po mundohem të punoj me muzikant shqiptare dhe italian. Ëndrra ime ishte që zëri im të behet i njohur tek publiku shqiptarë , dhe gjatë këtij viti mendoj që një pjesë e kesaj ëndrre po realizohet. Do vazhdoj të punoj fort për të qëndruar sa më gjatë në këtë ëndërr.
Një nga performancat e Marselës në spektaklin 'The Voice of Albania'

 

Eurosong Shqipëria falenderon Marslen për intervistën dhe i uron suksese në Festivalin e Këngës 51 në RTSH.

No comments:

Post a Comment